Pensioni, burrave nuk u njihen vitet e Universitetit

2018-05-11 5

Gjykata Kushtetuese ka vendosur që burrat dhe gratë të mos trajtohen njëlloj për llogaritjen e viteve të punës në rastin që ata përfitojnë pensionin e pleqërisë.

Një vendim i datës 14 Shkurt i kësaj trupe, vendosi të lerë të pandryshuar nenin e ligjit për kontributet e sigurimeve shoqërore të vitit 2014-ë, ku për efekt pensioni, meshkujve nuk iu llogariten vitet e arsimit të lartë, ndërsa për gratë këto vite njihen për periudhën nga viti 2000 deri në 2032.

Kërkesën për dhënie opinioni e ka depozituar gjykata e shkallës së parë në Vlorë, e cila kërkoi interpretim për një rast specifik që ishte ankimuar pranë saj, lidhur me llogaritjen e viteve të pensionit. Gjykata e Vlorës shprehej se në rastin kur për femrat vitet e arsimit të lartë njihen si vite pune, dhe për meshkujt nuk njihen, shkeleshin parimet e kushtetutës si barazia e qytetarëve para ligjit dhe ajo e diskriminimit gjinor.

Por në relacionin shpjegues, pasi dëgjoi të gjitha palët, Kushtetuesja vendosi se ky nen përbën një përjashtim pozitiv, pasi mosha e daljes në pension për gratë, në momentin që nuk llogariten vitet e shkollës, i mohon atyre të drejtën e përfitimit të pensionit, pasi nuk mund të arrijnë të plotësojnë periudhën e punësimit.