Në kuadër të mbledhjes së Këshillit të Ministrave në Qarkun e Beratit, Zëvendës Kryeministrja e Republikës së Shqipërisë, Senida Mesi, dhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, kanë zhvilluar vizita inspektuese në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRRP) dhe ALUZNI Berat.
Duke vënë theksin te efiçenca e shërbimit publik dhe te toleranca ZERO ndaj kujtdo që sorollat qytetarin apo abuzon me detyrën e tij, Zëvendës Kryeministrja Senida Mesi nënvizoi para drejtuesve e punonjësve të këtyre institucioneve rëndësinë e ndryshimit të perceptimit të administratës publike në sytë e qytetarëve dhe sipërmarrësve. Sipas saj, të gjithë janë në funksion të qytetarit e sipërmarrësit, dhe në këtë kuadër duhet bërë e pamundura për maksimizimin e efiçiencës së shërbimeve publike ndaj tyre.
Nga ana tjetër, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, nënvizoi krijimin brenda një kohe të shkurtër të një agjencie të vetme për titujt e pronësisë si një prej prioriteteve të qeverisë shqiptare në kuadër të reformës në fushën e pronave. Ajo u ndal gjithashtu tek lufta antikorrupsion për çdo praktikë abuzive që dëmton qytetarin e sipërmarrjen duke paralajmëruar njëkohësisht fillimin e inspektimeve të herëpashershme pranë këtyre institucioneve të varësisë.