Autostrada “Thumane-Fushe Kruje-Vore-Kashar”

2018-05-11 2

Projekti i dytë i paketës së qeverisë ?One Billion Euro? është aksi rrugor ?Thumanë-Fushë Krujë-Vorë-Kashar?.

Rruga me gjatësi 20.8 kilometra është propozuar të ndërtohet nga kompania ?Gener 2?, e cila ka bërë edhe studimin e fizibilitetit të shoqëruar me një ofertë të pakërkuar në ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Projektvendimi për dhënien e bonusit prej 8.5 pikësh për këtë kompani pritet të kalojë në mbledhjen e ardhshme të qeverisë. Pas miratimit të vendimit, autoriteti kontraktor do të hapë garën, por përparësinë do ta ketë shoqëria që fiton pikët më të larta.

Bëhet fjalë për një projekt me vlerë 244,2 milion euro, ku të gjithë investimin do ta bëjë firma e cila do të marrë punimet, e më pas shteti do ta shlyejë atë pasi të marrë në dorëzim veprën.

Kontrata do të jetë e formës partneritet publik-privat dhe ndërtimi i rrugës do të përfundojë pas 2 vjetësh. Kompania do të marrë po ashtu për 10 vjet mirëmbajtjen e veprës.

Burime zyrtare shprehen se në kontratën që do të firmoset, ndërtuesi do të detyrohet të dorëzojë rrugën e ndërtuar pa defekte të fshehura, pasi në të kundërt do të përballoje vetë kostot.

Projekti parashikon rehabilitimin e rrugëve që do të dëmtohen nga autostrada e re dhe ndërtimin e 12 urave.