Opozita ka nisur përgatitjet për një tjetër protestë masive. Burime të Report Tv nga selia blu thanë se PD po përgatitet për një protestë të madhe, e cila pritet të mbahet në muajin mars. Në fokus të aksionit të radhës do të jenë familjet në nevojë, ku sipas opozitës janë përjashtuar rreth 20 mijë familje.
Report Tv mësoi se kreu demokrat, Lulzim Basha, ka vënë në lëvizje të gjithë deputetët dhe krerët e degëve, të cilët kanë nisur takimet derë më derë te familjet në nevojë në çdo cep të vendit. Basha ka udhëzuar të gjithë vartësit e tij të marrin informacione të vërteta mbi familjet e hequra nga ndihma ekonomike, nëse ata janë vërtet në nevojë ekonomike dhe përjashtimi nga skena rëndon gjendjen e tyre.
Burime i thanë Report Tv se kjo është dhe pika kryesore e udhëzimit të Bashës, ndërsa angazhimi ka nisur dhe nga LSI. Mësohet se do ketë bashkëpunim shumë të madh mes partive opozitare për familjet e përjashtuara nga ndihma ekonomike. Takimet e politikanëve me familjet në nevojë do të vazhdojnë edhe dy javët në vijim, ku në fokus është organizimi i tyre për protesta, që nisin sërish në muajin mars.