Pa bërë më shumë komente, ish-ministri i Transporteve Sokol Dervishaj la Prokurorinë e Krimeve të Rënda pas marrjes në pyetje për më shumë se 1 orë e 30 minuta.
Prokurorja Elisabeta Ymeraj kërkoi sqarime nga ish-zyrtari i lartë në lidhje me hetimet për abuzimet në ndërtimin e rruges Tiranës-Elbasan.
Në dalje Dervishaj nuk pranoi të komentojë mbi përgjegjësitë e tij në këtë çështje. Por burime nga grupi hetimor konfirmuan se Dervishaj ka dhënë sqarime për masat e marra nga Ministria pas auditeve të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ku u konstatuan shkelje të rënda.
Një ditë më parë, po në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, dha deklarimet e tij edhe ish-ministri Edmond Haxhinasto. Në ditet në vijim pritet të pyeten edhe ish-zyrtarë të tjerë të Autoritetit Rrugor.
Ndërsa në qeli ndodhen ish-drejtuesi i rrugëve Dashamir Xhika dhe dy ish-vartësit e tij Albens Alite dhe Aksel Qurduka. Rreth 37 milionë dollarë është dëmi i shkaktuar buxhetit të shtetit sipas prokurorisë në këtë rast.