Report TV - I jepet lamtumira familjes Preka nga Velipoja

2018-05-11 1

Velipoja u ka dhënë lamtumirën e fundit tre viktima nga aksidenti që ndodhi para dy netësh në zonën e plazhit. Babai me dy fëmijët, një vajzë dhe djali 9-muajsh janë përcjellë për në banesën e fundit, ndërsa në homazhe kanë marrë pjesë qindra qytetarë, mes tyre edhe deputeti i PD, Luka. Nga përplasja e dy makinave mbrëmjen e së dielës humbi jetë në vend babai Edmond Preka, ndërsa dy fëmijët, djali 9 muajsh dhe vajza 5-vjeçe ndërruan jetë në spital. Të plagosur në spital janë gruaja e viktimës, Evisa dhe vajza e dytë, e cila ndodhet në gjendje kome. Mjekët shprehen se vajza ka pak shanse. Ndërsa të plagosur, por jashtë rrezikut janë edhe dy personat e tjerë që ndodheshin në makinën tjetër që u përplas me familjen Preka, Sokol Mujaj 49-vjeç dhe Ndrek Gjergji 50-vjeç. Nga ekspertiza rezultoi se makina ku po udhëtonte familja Preka ishte futur në parakalim të gabuar duke shkaktuar aksidentin që u mori jetën.