TIRANE - Report TV zbardh detaje nga letra që mban mbishkrimin sekret shtetëror, e presidentit të Republikës, Ilir Meta drejtuar ministrit të Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati për marrëveshjet me Greqinë. Javën e kaluar kryediplomati shqiptar kërkoi plotfuqishmërinë nga kreu i shtetit për nisjen e negociatave me Athinën për marrëveshjet e pazgjidhura mes dy vendeve, të cilat janë trajtuar në dy takimet e Bushatit me Kotzias në Kretë dhe Korçë.
Burime në dijeni të ekzistencës së kësaj letre, bëjnë të ditur për Report Tv se letra e Metës është e klasifikuar sekret shtetëror. Sipas të njëjtit burim, në letër nuk kërkohen vetëm negociatorët, por Presidenti i Republikës kërkon të dijë nga qeveria edhe sa i takon parimeve të negocimit me palën greke sa i takon zgjidhjes së dy çështjeve të nxehta, marrëveshjes për 'Detin' dhe shfuqizimin e Ligjit të Luftës.