TIRANE- Për rreth një orë ish-ministri i Transportit Haxhinasto ka dëshmuar sot te Prokuroria e Krimeve të Rënda për abuzimet në rrugën Tiranë-Elbasan që po hetohen pas padisë së KLSH dhe ministrit Gjiknuri. Edmond Haxhinasto, aktualisht deputet i LSI-së pas daljes nga Krimet e Rënda u shpreh se dëshmoi për kohën që ka drejtuar politikisht ministrinë. Ai dëshmoi në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit, por ndaj tij ende nuk ka asnjë akuzë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. ?Jam thirrur për të dëshmuar për projektin e rrugës Tiranë- Elbasan që është në hetim. Jam pyetur për ato gjëra, për përgjegjësitë e mia si drejtues politik për një periudhë të zhvillimit të këtij projekti. Dëshmova ato gjëra që di? deklaroi ai.
Haxhinasto do të dëshmonte në fundjavë, por zgjodhi ditën e hënë për t?iu përgjigjur fletëthirrjes së prokurorisë. Ish-ministri u mor në pyetje nga prokurorja e Krimeve të Rënda, Elisabeta Imeraj. Përveç Haxhinastos, në pyetje për abuzimet në rrugën Tiranë-Elbasan do të merret edhe ish-ministri tjetër i LSI, Sokol Dervishaj. Në ditët në vijim Dervishaj pritet që të dëshmojë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë për lëvrimin e disa fondeve për këtë aks. Për dosjen e rrugës Tiranë-Elbasan është arrestuar ish-drejtori i ARRSH, Dashamir Xhika, por edhe Albens Alite e Aksel Qurduka, drejtori dhe ish-drejtor i Njësisë së Menaxhimit të Projektit të rrugës Tiranë-Elbasan.