VELIPOJE-Mbrëmjen e djeshme humbën jetën babai dhe dy fëmijët në aksident, ndërsa gruaja e tij dhe vajza janë të plagosur në gjendje të rëndë në spitalin e Shkodrës. Në spital ndodhen edhe dy persona, të cilët po udhëtonin në makinën me të cilën u përplas familja Preka.
Sot ka përfunduar ekspertiza nga grupi hetimor për aksidentin tragjik në Aksin Shkodër-Velipojë ku humbën jetën babai dhe 2 fëmijët e u plagosën 4 të tjerë. Sipas ekspertizës, shkak për aksidentin është bërë parakalimi i gabuar i mjetit ?Alfa Romeo? ku ndodheshin 5 anëtarët e familjes Preka.
Sipas grupit hetimor makina e drejtuar nga Edmond Preka është futur në parakalim të gabuar duke i dalë përballë fuoristradës. Drejtuesi i fuoristradës fillimisht u raportua nga policia se ishte Sokol Mujaj, por sot drejtoria e Shkodrës saktësoi se makina i përket Mujajt, por në timon ishte shoku i tij Ndrek Gjergji. Nga aksidenti humbën jetën kryefamiljari Edmond Preka me dy fëmijët, djalin 9-muajsh dhe vajzën 5-vjeçe, ndërsa gruaja dhe vajza tjetër janë në spital. Vajza 10-vjeçe ndodhet në gjendje koma dhe mjekët japin pak shpresa, pasi ka dëmtime të rënda. Të plagosur, por jashtë rrezikut janë dy personat që ndodheshin në fuoristradë Sokol Muja dhe Ndrek Gjergji.