Ministria e Energjise anulon koncesionin per HEC-et ne Osum

2018-05-11 3

Hidrocentralet mbi lumin Osum nuk do të ndërtohen. Pas anulimit të lejeve mjedisore nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, firmën e fundit për zgjidhjen e kontratës për tre HEC-et e ka dhënë Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri.

Në një letër drejtuar shoqërisë e cila po ndërton HEC-et Bigas 1 & Bigas 2 dhe Veleshnje, Ministri Gjiknuri njofton në rolin e Autoritetit Nënkontraktor se ka nisur procedurat për zgjidhjen e njëanshme të kontratës.

Gjithashtu, Ministria e Energjisë ka marrë në dorëzim edhe një njoftim nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit, e cila ka kërkuar inspektimin në terren me qëllim pezullimin e punimeve për ndërtimin e hidrocentraleve.

Ndërtimi i hidrocentraleve në kanionet e lumit Osum, të konsideruar si zonë e mbrojtur, hodhën dyshime nga vetë autoritetet shtetërore se kishin ndryshuar vendndodhjen duke zhvendosur në mënyrë të paligjshme koordinatat brenda zonës së mbrojtur.

Vetë Kryeministri Edi Rama e konsideroi gabim ndërtimin e tyre duke thënë se qeveria nuk ishte në dijeni për ndryshimet e bëra nga kompania dhe se për këtë do të gjenden përgjegjësit.