Normalizohet situata në të gjitha akset rrugore të qarkut të Korçës, përfshi edhe Qafë Thanën. Është dashur ndërhyrja e gjashtë borëpastrueseve për të mbajtur nën kontroll Qafë Thanën, nga Lini deri në Prrenjas. Në majën e Qafës së Thanës, trashësia e dëborës ka arritur në 30 cm.
Policia në bashkëpunim me firmën nënkontraktore dhe institucionin e prefektit, gjatë natës nuk kanë lejuar kalimin e mjeteve të tonazhit të rëndë, të papajisura me zinxhirë. Kjo jo vetëm për çështje sigurie por edhe për të lehtesuar punën e borëpastrueseve.
Si rezultat i kësaj pune, mëngjesi i sotëm e ka gjetur të gjithë aksin rrugor të qarkut të korçës të kalueshëm dhe të sigurt. Akset në zonat e thella malore përbëjnë përjashtim, ndaj kalimi vijon të bëhet i mundur vetëm me zinxhirë.
Aksi rrugor i Qafë Thanës është inspektuar sot në mëngjes nga drejtori i përgjithshëm i ARRSH, Afrim Qendro.