Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj priti sot Zv. Drejtorin Ekzekutiv të FMN Tao Zhang në kuadër të vizitës së parë pas 10 viteve të një përfaqësuesi të Bordit drejtues të FMN në Tiranë.
Ministri Ahmetaj vlerësoi bashkëpunimin me Fondin Monetar Ndërkombëtar në kuadër të programit tre-vjeçar me qeverinë shqiptare ndërsa theksoi se viti 2017 u mbyll me një performancë shumë të mirë fiskale, deficit total -2% e DGP dhe balancë primare pozitive, për të tretin vit radhazi.
Ahmetaj theksoi efikasitetin e reformave të thella strukturore, duke u dhënë një rol primar. Ai përmendi rezultatet pozitive dhe në rritje për reformën në energji, reformën e pensioneve, reformën administrative-territoriale, reformën në menaxhimin e financave vendore, ligjin për Financat Vendore dhe miratimin e Rregullit Fiskal brenda Ligjit të ri Organik të Buxheti.