FMN ofrohet per te ndihmuar qeverine ne programin e PPP-ve

2018-05-11 1

Fondi Monetar Ndërkombëtar ofron asistencë për qeverinë shqiptare në programet e investimeve partneritet publik-privat. Një delegacion i lartë i fondit ka mbërritur në Tiranë për të mbajtur dy takime, një me ministrin e Financave Arben Ahmetaj e një me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Gent Sejko. Zv/drejtori ekzekutiv i FMN-së, Tao Zhang, tha se programi i qeverisë shqiptare me fondin ka qenë i sukseshëm, ndërsa nxiti që vendi të vijojë reformat.

"Kapacitetet implementuese janë shumë të rëndësishme për PPP dhe FMN është e gatshme të punojë me qeverinë shqiptare, në mbështetje të angazhimit të sektorit privat dhe kontrollin e risqeve potenciale".

Ministri Arben Ahmetaj tha se qeveria do të vijojë reformat. Tashmë po punohet me formalizimin e sektorit të ujit dhe shkurtimin e burokracive të administratës.

"Ne kemi nisur një reformë të re në sektorin e ujit, ndërsa po vazhdojmë të thellojmë reformën në klimën e biznesit, tashmë më deregulimin dhe dixhitalizimin e shërbimeve për sipërmarrjen dhe qytetarët, duke iu kursyer atyre kohë dhe para".

Guvernatori Sejko i ka prezantuar zv/drejtorit të FMN-së masat që ka marrë Banka e Shqipërisë ndaj deurizimit të ekonomisë, ndërsa fondi i vlerësoi rregullat e reja si të domosdoshme në forcimin e stabilitetit financiar. Tao Zhang i tha guvernatorit se tashmë Shqipëria duhet të nisë të marrë reforma të rëndësishme në forcimin e institucioneve dhe mirëqeverisjen e vendit.