Macovei: KE do te propozoje hapjen e negociatave me Shqipërine

2018-05-11 0

Pas dy ditë debatesh në mbledhjen e Komitetit Parlamentar për Stabilizim Asociimin BE?Shqipëri, mazhoranca dhe opozita kanë dalë me një deklaratë të përbashkët përmes së cilës do t?i kërkojnë vendeve anëtarë të unionit që të rekomandojë një datë për hapjen e negociatave. Lajmin e dha vetë drejtuesja e këtij Komiteti Monica Makovei në përmbyllje të takimit dyditor që u zhvillua në Tiranë, e cila u shpreh optimiste per vendimin e Komisionit Europian.

Monica Macovei: "Besoj që Komisioni Europian do të japë një datë për çeljen e negociatave dhe do lobojmë në Këshill për të votuar në favor të çeljes së negociatave".

Por nga tryeza e përbashkët e komitetit, zonja Makovei kërkoi nga qeveria shqiptare rezultate konkrete në luftën kundër krimit e korrupsionit dhe në mënyrë të veçantë kërkoi që t?i jepet fund fenomenit të blerjes së votave.

Monica Macovei: "BE pret nga Shqipëria përpjekje të intensifikuara dhe rezultate të matshme. Nuk mjafton që vetëm thjesht të krahasoni me të shkuarën, por qeveria të ecë më përpara dhe duhet të shohë shembujt pozitivë në Europë. E kam dëgjuar se nuk ka korrupsion vetëm në Shqipëri por dhe në vende të tjera. Çfarë problemi ka nëse ka korrupsion? Nuk është argument i mirë nëse thoni se nuk jemi ne i vetmi vend që kemi korrupsion ka dhe vende të tjera. Unë do ju rekomandoja të mos e përdorni këtë argument".

Rekomandimet e Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri përfshijnë disa nga propozimet e bëra nga Partia Demokratike, mes të cilave ai në luftën kundër fenomenit të blerjes së votave, hetimin e zyrtarëve të lartë pa pasur mbrojtje, si dhe zgjidhjen e çështjes së pronave.