Kuvendi shpall vakancat per nje anetar te Gjykates Kushtetuese

2018-05-11 0

Pas presidentit i cili hapi procedurën për 2 vende vakante në Gjykatën Kushtetuese, edhe Kuvendi ka njoftuar këtë të hënë se ka nisur procedura për zëvendësimin e ish-gjyqtarit Vladimir Kristo.

Situata e krijuar në Gjykatën Kushtetuese për shkak të përfundimit të mandatit të 3 anëtarëve dhe dorëheqjes përpara përfundimit të mandatit nga Besnik Ymeraj, ka çelur debatin nëse plotësimi i vakancave duhet të bëhet përpara se të përfundojë procesi i vettingut për kandidatët në gara apo pasi ata të zgjidhen si anëtarë të kësaj gjykate.

Por kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, në një intervistë për Tv Klan thotë se nuk do të lejojnë që kjo gjykatë të futet në ngërç.

Balla thotë se nuk ka asnjë komunikim me opozitën për këtë proces, ndërsa hedh poshtë skenaret e ngritura nga eksponentë demokratë se mazhoranca po synon të kapë Gjykatën Kushtetuese.

Kandidatët për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese duhet të paraqesin aplikimet brenda datës 15 Mars . Dokumentacioni do të shqyrtohet nga Këshilli i Emërimeve në drejtësi dhe do t'i përcillet Kuvendit për votim. Nëse ky i fundit dështon të zgjedhë njërin prej kandidatëve me shumicë të cilësuar, atëherë automatikisht kandidati i listuar i pari nga KED përzgjidhet anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Nëntë anëtarët e këtij institucioni kushtetues zgjidhen 3 nga presidenti, 3 nga kuvendi dhe 3 nga Gjykata e Lartë.