Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje me Bashkimin Europian për forcimin dhe menaxhimin e kufirit, me FRONTEX.
Marrëveshja paraprake është nënshkruar nga Komisioneri i BE për Emigracionin, Dimitris Avramopoulos, dhe ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp nga Ministria e Brendshme, Komisioneri Avramopoulos theksoi se kjo marrëveshje do të bëjë të mundur menaxhimin më të mirë të kufirit për të kontrolluar emigracionin e parregullt.
Në vendin tonë pritet të mbërrijë së shpejti një ekip i FRONTEX, që do të diskutojë me palën shqiptare për aspektet e tjera ligjore dhe më pas do të nënshkruhet marrëveshja e plotë.
Komisioneri Avramopoulos: "Kam parë progres të madh që ka bërë Shqipëria gjatë viteve të fundit. Uroj që së shpejti ta shoh që Shqipëria të bëhet pjesë e familjes europiane. Sot jam i impresionuar çdo gjë që keni arritur në atë fushë që mbulojmë ne, pra drejtësi. Marrëveshja do të lejojë ardhjen në Shqipëri të një ekipi nga Roja Bregdetare Europiane. Marrëveshja do të nënshkruhet plotësisht nga të dyja palët në një datë tjetër pasi të kenë përfunduar aspektet ligjore. Kjo marrëveshje parashikon menaxhimin më të mirë të migracionit të parregullt në interes të përbashkët".
Ndërsa ministri Xhafaj theksoi se Shqipëria nuk do të bëjë më pjesë në hartën e vendeve që kultivojnë kanabis sativa. Ministri i Brendshëm bëri me dije se me Komisionerin Avramopoulos u nënshkrua edhe një marrëveshje për luftën kundër drogës.
Fatmir Xhafaj: "Komisioneri Avramopoulos vjen sot në Tiranë në një moment të rëndësishëm edhe për vet Policinë e Shtetit. Vizita e tij është një tregues i BE për reformat e nisura prej nesh. Dëshiroj të vlerësoj angazhimin që ai po jep për zhvillimin e marrëdhënieve në fushën e sigurisë. Rikonfirmova vendosmërinë tonë se po bëjmë gjithçka për të garantuar se Shqipëria nuk do të jetë më në hartën e vendeve që kultivojnë kanabis, për të rritur në tej performancën e Policisë së Shtetit. Po ashtu, së bashku ne sot konkluduam marrëveshjen për forcimin e kufirit.
Kjo është një marrëveshje e rëndësishme. Kjo është mundësi e mirë si për ne ashtu edhe për vendet e rajonit. Ne do të ndjekim në vazhdim procedurat e kërkuara. Forcimi i kontrollit në kufi, mbetet prioritet për ne si kusht për të garantuar lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave".