Banorët e fshatit Horman të Korçës kanë dalë në rrugë mëngjesin e sotëm duke protestuar për prodhimet bujqësore të pashitura.
Në këtë protestë kanë dalë pothuajse të gjithë banorët, ndërsa mësohet se është pezulluar edhe mësimi në shkollën e fshatit.
Të kontaktuar nga tvklan.al, ata fajësojnë konkurrencën e pandershme dhe thonë se penalizohen nga produktet që hyjnë në Shqipëri nga vendet fqinje.
Për t'i takuar nga afër dhe për të dëgjuar shqetësimet e tyre, aty shkoi edhe nënkryetari i Bashkisë së Korçës. Por, banorët vendas refuzuan që të flisnin pa prezencën e medias. Ata këmbëngulin që të organizohet një takim me kryebashkiakun e Korçës, me një përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë dhe të Drejtorisë Bujqësore të rrethit të Korçës që të gjendet një zgjidhje për produktet bujqësore që u kanë mbetur pa shitur. /tvklan.al