Ora News - Stok mbi 22 mijë dosje, Gjykata e Lartë në ngërç nga mungesa e gjyqtarëve

2018-05-11 1

Subscribe në Ora News këtu http://bit.ly/1s5j7UT

Mbarimi i mandatit të 10 anëtarëve dhe pamundësia për ti zëvendësuar ata me gjyqtarë të rinj ka futur në ngërç Gjykatën e Lartë, ndërsa kjo situatë është bërë shkak që çështjet e më shumë se 22 mijë qytetarëve dhe institucioneve të mbeten pa u shqyrtuar përtej afateve ligjore.

Në fund të janarit 2018, ky institucion raporton se ka një numër të madh çështjesh që kanë mbërritur aty dhe kanë mbetur pa u shqyrtuar për shkak të mbingarkesës së gjyqtarëve.

Në raportin e publikuar nga vetë Gjykata e Lartë pak ditë më parë thuhet se mbeten për tu trajtuar nga trupa e gjyqtarëve 22500 çështje të prapambetura.

Aktualisht, Gjykata e Lartë ka 9 anëtarë nga 19 që duhet të kishte me trupën e plotë të saj. Tri Kolegje të Gjykatës së Lartë gjatë vitit të kaluar janë përpjekur ti bëjnë ballë ngarkesës por pa mundur të japin zgjidhje për pirgun e madh të çështjeve që presin të shqyrtohen.

Nga analiza e të dhënave statistikore rezultoi se në Gjykatën e Lartë në vitin 2017 janë trajtuar gjithësej 4713 çështje, prej të cilave 1507 çështje nga Kolegji Civil , 2060 çështje nga Kolegji Administrativ, 1128 çështje nga Kolegji Penal si dhe 18 çështje Juridiksion Fillestar.

Sipas Gjykatës, numri i madh i çështjeve të grumbulluara ndër vite mbetet një problem shqetësues për veprimtarinë e Gjykatës së Lartë, i cili ndikon drejtpërdrejtë në ecurinë e administrimit të shpejtë dhe efektiv të drejtësisë.

Problematika e mbingarkesës është e mbartur në vitet e fundit gjatë të cilave nuk është bërë zëvendësimi i 10 anëtarëve që u ka mbaruar mandati.

Shkaku për mos emërimin e gjyqtarëve të rinj është procesi i vettingut, të cilin duhet ta kalojnë kandidatët për anëtarë të rinj në Gjykatën e Lartë.

Sipas statistikës së fundit, bazuar në ritmin e gjykimeve të vitit 2017, Gjykatës së Lartë do t'i duheshin 4 vite kohë për shqyrtimin e çështjeve të prapambetura edhe nëse nuk do të pranonte dosje të reja në Sekretarinë e saj.

Për më shumë lexoni në:

http://oranews.tv/article/stok-mbi-22-mije-dosje-gjykata-e-larte-ne-ngerc-nga-mungesa-e-gjyqtareve