Partia Demokratike thotë se Kryeministri Rama ka qenë në dijeni të dëmit mjedisor që do të shkaktote ndërtimi i disa hidrocentraleve në kanionet e Lumit Osum. Sipas kreut të deparatamentit të Mjedisit në selinë blu, Jamarbër Malltezi, kreu i qeverisë është informuar për atë që ai e quan si krimin mjedisor që po bëhej në këtë zonë, nga Ilir Meta në kohën që mbante detyrën e kryetarit të Kuvendit.
Jamarbër Malltezi: "Edi Rama dhe Blendi Klosi, të dy luajnë teatër me Shqiptarët. Letra e publikuar në media e ish-kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, zbulon se Rama ka qenë në dijeni të projektit që dëmtonte kanionet e Osumit, por ka vazhduar me miratimin e tij në dhjetor 2017, kur tepsinë e kishte të gjithën për vete".
Malltezi ironizon edhe deklaratën e Kryeministrit i cili pak ditë më parë paralajmëroi se pas denoncimeve të mbërritura në platformën e bashkëqeverisjes për këtë krim të mbetur në tentativë qeveria do të kallëzojë penalisht personat përgjegjës.
Jamarbër Malltezi: "Rama dhe Klosi luajnë teatër edhe me premtimet për ndjekje penale, sepse ata kanë graduar me detyra më të larta, personat që kanë firmat në lejen mjedisore, pa të cilën nuk nis dot ndërtimi i asnjë projekti".
Projekti për ngritjen e hidrocentraleve mbi lumin Osum u miratua në shtator 2013 pak ditë përpara largimit të qeverisë "Berisha". Në maj të viti 2016, Ministria e Energjisë miratoi një kontratë të re me kompaninë e interesuar për këtë investim duke e zgjeruar fuqinë e hidrocentralit Bigas-Veleshnje nga 0.5 mega në 1.2 mega dhe në dhjetor të vitit 2017 Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi edhe lejen për nisjen e projektit për dy HEC-et në këtë zonë.
Kryeministri Rama tha se Këshilli thjesht kreu një procedure ligjore të lejes së dhënë nga qeveria Berisha dhe paralajmeroi kallëzim penal për të gjithë ata që kanë manipuluar koordinatat për vendin ku do të ndërtoheshin hidrocentralet.