Report TV - Ekskluzive/ Ish kryeprokurori Adriatik Llalla tërhiqet nga Vetingu

2018-05-11 0

EKSKLUZIVE - Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla është dorëhequr nga e drejta për të qenë gjyqtar i Gjykatës së Apelit, të drejtë të cilën ia njeh ligji për t'u rikthyer në detyrën që ka mbajtur më parë. Report Tv ka mësuar ekskluzivisht se Llalla, përmes një kërkese drejtuar organeve të Vettingut, ka njoftuar dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë, ndërsa nuk janë të qarta motivet e këtij vendimi.

Ish-kryeprokurori tha i kontaktuar nga Report Tv se ka depozituar një kërkesë për të mos qenë pjesë e sistemit të drejtësisë. "Kam depozituar një kërkesë për të mos qenë gjyqtar i Apelit", ka thënë Llalla për Report Tv. Tërheqja nga sistemi bën që procesi i Vettingut ndaj Llallës, i nisur një vit më parë kur mbante detyrën e Kryeprokurorit, të ndërpritet, por për këtë çështje do vendosë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nëse Llalla do i shpëtojë apo jo verifikimit të pasurisë dhe integritetit profesional. Llalla bën pjesë në listën prej 56 personave që po kalon në filtrin e Vettingut, por megjithatë ende nuk dihen rezultatet e këtij verifikimi.