FIER - IKMT ka shembur me shpërthim të kontrolluar një objekt 5-katësh përgjatë lumit Gjanica, i cili preket nga rehabilitimi i lumit dhe shëtitores së qytetit të Fierit. Report Tv sjell ekskluzivisht pamjet me dron nga momenti i shpërthimit. Për shembjen e këtij objekti janë vendosur rreth 6 kg eksploziv nga hapja e 400 furnellave (vrima) dhe është përdorur e njëjta strategji shembje si me dy objektet e javës së kaluar.
Megjithëse ndërtesa është shembur e gjitha, nga shpërthimi ka pasur dëmtime në një biznes aty pranë, të cilit i janë thyer xhamat dhe ka rënë tavani prej gipsi. Aksion i IKMT është në kuadër të rehabilitimit të lumit Gjanica dhe shëtitores së qytetit, ku të dielën e kaluar u shembën me të njëjtën procedurë edhe 2 godina të tjera.
Ky projekt i Bashkisë Fier ka prekur 21 banesa, nga të cilat kanë mbetur për t'u shembur edhe 2 të tjera. Një prej këtyre ndërtesave do shembet nga IKMT me shpërthim të kontrolluar. Ndërkohë që tashmë autoritetet po punojnë për pastrimin e inerteve.