Report TV - FSHF nis fushatë hakmarrje ndaj klubeve që votuan kundër

2018-05-11 0

Vetëm dy ditë pas zgjedhjeve në Federatën Shqiptare të Futbollit ka nisur fushata e hakmarrjes së institucionit të futbollit ndaj klubeve që votuan kundër ose personave që kanë shprehur hapur pakënaqësinë me drejtuesit e rizgjedhur. Kështu, pas kritikave periodike ndaj gjyqtarëve që klubi i Flamurtarit në përgjithësi dhe trajneri Shpëtim Duro në veçanti, ka reaguar shoqata e arbitrave, duke e quajtur sulm denigrues.

Ajo që bie në sy është se si ka mundësi që kjo shoqatë kurrë më parë nuk ishte mbledhur dhe reaguar, kur në fakt kritika dhe ofendime ndaj gjyqtarëve ka thuajse çdo javë në kampionatin shqiptar, madje edhe dhunë ndaj tyre. Shoqata e arbitrave shqiptarë votoi nën tutelën e FSHF-së dhe kjo e fundit ka nxituar ta pasqyrojë reagimin në faqen e vet zyrtare a thua se është komision i saj. Handikapi tjetër qëndron në faktin se Shoqata e Arbitrave ka selinë brenda FSHF-së.