Atentati me eksploziv ndaj Lulzim Kullës me 13 Janar të këtij viti dyshohet se është kundërpërgjigje e një konflikti të shkaktuar mes klaneve të trafikut të drogës jashtë vendit. Kjo është një nga pistat Prokurorisë së Shkodrës për ngjarjen e 13 Janarit, ku Kulla mbeti i plagosur rëndë nga shpërthimi i eksplozivit të vënë në një motor pranë makinës së tij.
7 persona të tjerë po ashtu u plagosën. Burimet thanë për Televizionin Klan, se kjo pistë lidhet me një konflikt të mundshëm të Lulzim Kullës dhe Klodian Çopjes, vëllait të Endrit Çopjes, që u arrestua të enjten, si një prej autorëve të atentatit.
Klodian Çopja është dënuar nga një gjykatë në Britaninë e Madhe, me 17 vite burg për trafik droge. Ai dyshohet se ka pasur konflikte me Kullën në Itali për çështje droge. Në këtë vend, në vitit 2010 mësohet se Kulla është dënuar me 12 vite burg. Por ai mundi të kthehej në Shqipëri, ku edhe u arrestua, por gjykata refuzoi kërkesën e prokurorisë për ekstradimin në Itali dhe u vendos që në Shqipëri të njihet vendimi i dënimit të dhënë nga drejtësia italiane.
Vendimi i njohur dhe më pas i konvertuar e dënoi Kullën me vetëm 4 vite burg. Por nëpërmjet një ekzaminimi të kryer në një spital privat në kryeqytet, një mjek kishte konkluduar se Kulla vuante nga një sëmundje e pashërueshme. Për këtë shkak ai edhe u la i lirë.
Vendimi dhe ekzaminimi mjekësor janë duke u verifikuar tashmë nga Prokuroria e Shkodrës. Hetuesit po ashtu po hetojnë edhe një pistë tjetër lidhur me ngjarjen e 13 Janarit. Sipas tyre, nuk përjashtohet mundësia që Endrit Çopja dhe Argel Lulaj, edhe ky i arrestuar të jenë paguar për atentatin apo ta kenë kryer atë si favor ndaj një grupi rival të Lulzim Kullës në Shkodër. Vetë të arrestuarit deri më tani nuk kanë pranuar të japin shpjegime lidhur me ngjarjen për të cilën akuzohen.