Pas Fierit, kryeprokurorja Arta Marku ka marrë pjesë në analizën vjetore të Prokurorisë së rrethit të Vlorës. Përpara prokurorëve të rrethit, Arta Marku ka deklaruar se Vlora, tashmë prej kohësh, njihet si një vend prodhues i cannabisit, jo aq i drogave të tjera sintetike, por edhe si një vend i rëndësishëm tranziti për në vendet e Europës, specifikisht favorizuar nga linja e gjatë bregdetare.
Kryeprokurorja e përkohshme ka kërkuar jo vetëm shkatërrimin e grupeve kriminale, por edhe rritjen e efikasitetit në sekuestrimin dhe konfiskimet e aseteve të krimit. "Të zbatohen edhe në këtë drejtim sekuestrimet dhe konfiskimet përkatëse, me qëllim parandalimin e transferimit të pronave apo të të mirave të tjera të përftuara. Me ndryshimet e reja, në rastet e pafajsisë, Gjykata e Apelit nuk mund të deklarojë fajtor një person kur Shkalla e Parë e ka deklaruar të pafajshëm vetëm mbi bazën e vlerësimit të ndryshëm të provave të marra në gjykimin në Shkallën e Parë", ka thënë Arta Marku.