Gjirokastër, rrezikon shembjen një tjetër pallat, banorët pa hipotekë: Blemë vdekjen me para

2018-05-11 1

Në krah të pallatit 8-katësh në lagjen "Kodër Shtuf" të Gjirokastrës i cili rrezikon të shembet si pasojë e rrëshqitjes së dhërave, ndodhet edhe një apartament 10-katësh i cili ka të njëjtën problematikë. Pas reshjeve të dendura të shiut, toka ka rrëshqitur edhe pranë këtij pallati ku banojnë 32-familje. Gazetari i Report Tv, Piro Nase, raportoi sot nga vendngjarja ku tha se situata paraqitet problematike ndërsa familjet rrezikojnë të mbesin në qiell të hapur, pasi nuk disponojnë hipotekat e banesave të tyre.

"Ka tre ditë që bien dhera. Kush na jep garanci që të flemë gjumë, jam vetë e pestë edhe me një fëmijë të vogël. Jemi njerëz të frikësuar. Lekët i kemi dhënë, kam punuar 20-vjet në Greqi për këtë shtëpi. S'kemi hipotekë, ku do dal unë nesër, në rrugë me një fëmijë 5-muajsh", u shpreh një banore e pallatit 10-katësh.
"Kemi blerë vdekjen me lekë", shprehet i irrituar një tjetër banor i cili kërkon ndërhyrjen e mënjehershme të shtetit. "Hyrjet i kemi marrë me një kontratë porosie dhe na thanë se për një vit do bësh hipotekën, kështu na tha ndërtuesi. Jemi bashkëfajtorë në këtë situatë, por tani çelësi është shteti, duhet të na mbledhë dhe të na ulë në tavolinë.