Rruga e 'Lumit të Vlorës' prej 4 ditësh e bllokuar. banorët: Po na rrezikohet jeta

2018-05-11 0

Rruga e lumit të Vlorës është në rrezik për banorët dhe drejtuesit e automjeteve. Reshjet e dendura të rëna gjatë ditëve të fundit sollën edhe rrëzimin e një masivi dheu në fshatin Brataj. Prej katër ditësh kjo rrugë ka qenë e pakalueshme për makinat. Një prej drejtuesve të furgonave që transporton njerëz në atë aks u shpreh i revoltuar duke i bërë thirrje instancave përkatëse të marrin masa sa me shpejt, pasi rruga që ata bëjnë çdo ditë është një rrezik.
Erozioni i cili bllokoi prej katër ditësh këtë aks, duket qartë në pamjet e filmuara pasi toka është e çare dhe dy shtëpi janë rrezuar si pasoje e erërave dhe shirave te dendura. Për të inspektuar vendin ka qenë edhe prefekti, Flamur Mamaj se bashku me drejtues të ARSH. Jashtë kamerave ata janë shprehur se do të gjejnë një zgjidhje pasi kjo rrugë paraqet një rrezik për banorët e zonës.