FIER-Reshjet e shiut të rëna gjatë 48 orëve të fundit me intensitet të lartë, kanë shkaktuar përmbytje edhe në qytetin e Fierit. Ende pa e marrë mirë veten nga përmbytjet e dhjetorit të shkuar, zonat e këtij qarku janë përballur sërish me nivel të lartë uji.
?Edhe në fermën time erdhi uji por ne morëm të gjitha masat për të shpëtuar gjënë e gjallë, ishin tre kapanone me zogj mishi, gjithsej 20 000 krerë dhe gjendja është shumë alarmante, po të ishim lajmëruar nuk do ndodhte kjo që ndodhi," u shpreh një banor i Ferrzasit.
Dhjetëra familje janë evakuuar nga banesat e tyre, për shkak se uji ka pushtuar katet e para duke bërë që të shkatërrohen edhe shumë orendi shtëpiake. Probleme ka pasur edhe në blegtori e bujqësi, ku përveç se janë përmbytur disa dhjetëra hektarë toka bujqësore, një fermeri i kanë ngordhur 20.000 zogj. Report Tv ka transmetuar ekskluzivisht pamjet me dron, ku duken sipërfaqe të tëra dhe banesa nën pushtetin e plotë të ujit.