Dosja e 'Rrugëve', Prokuroria e Krimeve të Rënda: Hetim ish-ministrit Haxhinasto

2018-05-11 1

TIRANE - Hetimet për dosjen e abuzimeve te Rrugët, pas arrestimit të Dashamir Xhikës, Andi Tomës dhe 9 personave të tjerë, arrijnë edhe në nivele të larta. Burime për Report TV pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda konfirmuan se një ish-ministër është nën hetim për korrupsion. I njëjti burim saktëson se ish-ministri që po hetohet është ai i LSI, Edmond Haxhinasto, i cili ka mbajtur postin e ministrit të Transporteve për tre vite radhazi. Ai u emërua ministër i Transporteve në shtator 2013, ndërsa dha dorëheqjen në shtator 2016. Në vend të tij u emërua Sokol Dervishaj.

Ish-ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto po hetohet për abuzimet me rrugën Tiranë- Elbasan e cila edhe pse ka nisur të ndërtohet që në vitin 2011, ende nuk ka përfunduar, ndërsa nuk kanë munguar fondet nga buxheti i shtetit për këtë segment. Për këtë dosje Krimet e Rënda kanë nxjerrë 3 masa arresti për ish-drejtorin e rrugëve Dashamir Xhika dhe dy ish-zyrtarë, Albens Alite dhe Aksel Qurduka. Të tre ish-zyrtarët dyshohen për korrupsion dhe shpërdorim detyre me fondet dhe projektet për rrugën Tiranë-Elbasan, me një dëm që prokuroria e përllogarit në 80 milionë euro.