TIRANE - Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë masën e sigurisë "arrest me burg" për katër të arrestuarve për vrasjen e 42-vjeçarit, Devi Kasmi, të hënën e kaluar pranë banesës së tij në rrugën "Petro Cani" në kryeqytet. Mes të arrestuarve që ka dalë para gjykatës është edhe shtetasi grek i dyshuar si vrasës me pagesë, Efthymiou Efthymious, 41-vjeç.
Sipas prokurorisë, ish-agjenti special grek dyshohet si autor i ekzekutimit të Kasmit mbrëmjen e 29 janarit, ndërsa të arrestuarit e tjerë Elton Halipaj, Malvin Dinellari dhe Elton Hoxhallari, si organizatorë të krimit. Prokuroria ka kërkuar masën e arrestit me burg për katër të arrestuarit si pjesë të grupit kriminal në ekzekutimin e Devi Kasmit, kërkesë e cila është pranuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda.
Katër të arrestuarit kanë mohuar akuzat dhe kërkuan lirinë nga trupi gjykues, por kjo nuk e ka bindur gjykatën. Përmes avokatit mbrojtës Sajmir Visha, ish-speciali grek ka ofruar një garanci pasurore prej 10 mijë eurosh për të fituar lirinë, por kjo u rrëzua nga Gjykata. Avokati Visha ka pretenduar se klienti i tij ndodhet në Shqipëri si turist dhe ka hyrë në mënyrë të rregullt në vendin tonë.