Ndërprerja e reshjeve të shiut ka ndikuar në uljen e nivelit të lumenjve që dolën nga shtrati dhe përmirësimin e situatës në shumë zona të vendit. Lumi Vjosa është tërhequr në shtratin e tij.
Që prej mëngjesit të së hënës ka rënie të nivelit të ujit në gjithë pellgun Levan-Ura e Mifolit-Novoselë.
Në Ferras 150 shtëpi janë përmbytur. Situata është e njëjtë me përmbytjet e mëparshme dhe banorët akuzojnë për neglizhencë.
"E kam nga shteti, nuk e kam nga Zoti..."
Rruga kryesore nga Ferrasi në hyrje të Levanit është e pakalueshme. E vetmja mundësi është linja hekurudhore. Ushtria me mjete lundruese dhe kamionë qëndron në gatishmëri. E megjithatë një familje e ka kaluar natën në tarracë.
"Hoqëm kalamajt dhe plakën dhe ne të tjerët pastaj ngelëm atje".
Në Ferras, uji është në nivelin prej 1 metër dhe po tërhiqet gradualisht.
2000 ha tokë janë nën ujë në një kohë që ai po grumbullohet në Darëzezë dhe Povelcë.
Ndërsa në Novoselë të Vlorës, 77 familje janë evakuuar dhe 150 ha tokë është përmbytur. Situata më problematike është në fshatin Fitore.
Banorët shprehen të shqetësuar për përsëritjen e kësaj situate.
"Herën e parë dakord, nëse këtë radhë nuk kemi marrë asgjë, asnjë lloj ndihme. Të vish të shikosh aty 1 metër e ca ujë në shtëpi, të ikën mendja e kokës", shprehet një banor, ndërsa një tjetër shton: "Ne s'kemi hequr ende baltën e Dhjetorit"
Problem mbetet qarkullimi nga qendra e Novoselës drejt fshatrave.