Gjykata e Elbasanit ka lënë në burg pa afat ish-drejtorin e ARRSH, Dashamir Xhika, ish-zv/ drejtorin Andi Toma, mbikëqyrësin e punimeve Rexhep Tarba dhe dy biznesmenët Agron dhe Kujtim Hysa, ndërsa Rrezarta Boçiku është lënë në arrest shtëpie. Ish-zyrtarët e lartë dhe biznesmenët janë lënë në burg me akuzën e shpërdorimit të detyrës në ndërtim e rrugës Elbasan-Gjinar. Sipas prokurorisë ata i shkaktuan një dëm shtetit prej 5.3 miliardë lekësh pasi abuzuan me fondet e rrugës Elbasan-Gjinar. Por tashmë dosja pritet që të transferohet te Krimet e Rënda, pasi Xhika akuzohet edhe për rrugën Tiranë-Elbasan.
Seanca maratonë/ Përplasjet në gjyq në Elbasan
Seanca në Elbasan nisi në orën 11:00 të paradites dhe përfundoi në orën 18:30, ndërsa u ndërpre dy herë me kërkesë të avokatëve mbrojtës të cilët kërkuan përjashtimin e gjyqtares Idushe Maliqi. Por me kërkesë të avokatëve Artan Hajdari dhe Neshat Fana, gjyqtarja Maliqi u tërhoq nga trupa gjykuese dhe për rrjedhojë seanca u shty për rreth katër orë. Kërkesa u shqyrtua nga gjyqtari Bujar Musta, i cili ka rrëzuar kërkesën e avokatëve Artan hajdari dhe Neshat Fana, duke lënë gjyqtaren Idushe Maliqi në krye të grupës gjykuese dhe me prokurore të çështjes, Armanda Xhaferrin.