ELBASAN - Dashamir Xhika dhe Andi Toma, ish-drejtorë të Përgjithshëm të Rrugëve, të arrestuar dy ditë më parë me akuzën e shpërdorimit të detyrës, kanë dalë sot përpara Gjykatës së Elbasanit për t'u njohur me masën e sigurisë. Seanca drejtohet nga gjyqtarja Idushe Maliqi dhe me prokurore të çështjes Armanda Xhaferri.
Report Tv ishte i vetmi që transmetoi live seancën nga Gjykata e Elbasanit në ngarkim të Xhikës, ish-zyrtar i lartë i LSI-së (kandidoi për deputet në Elbasan në zgjedhjet e 25 qershorit) dhe Andi Tomës ish-zyrtar i lartë i PD i cili për 8 vite ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Rrugëve. I pranishëm gjatë kësaj seance është edhe ish-ministri i Transporteve, deputet i LSI në Qarkun e Elbasanit, Edmond Haxhinasto si dhe familjarë të të arrestuarve.