Brenda vitit 2019 qeveria parashikon përfundimin e ndërtimit të ujësjellës kanalizimeve në Gjirin e Lalzit. Investimi që kap vlerën e 13 milionë eurove u inspektua nga Ministri I Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri.
?Me përfundimin e këtij impianti i cili do të vihet në funksionim në vitin 2019, e gjithë kjo zonë nuk do të ketë më probleme me trajtimin e ujërave te zeza. Do kemi një zgjidhje me një teknologji të fundit, projekti i bërë është ndër me bashkëkohorët. Realisht i jep një zgjidhje përfundimtare gjithë kësaj zone dhe i shërben gati 30 mijë banorëve të cilët do të lidhen me këtë rrjet?.
Duke u ndalur tek reforma e ujit, Ministri Gjiknuri tha se rritja e performancës ekonomike është jetike për investime si ky në Gjirin e Lalzit.
?Qeveria shqiptare, në vazhdën edhe të aksionit që ka nisur për një miradministrim të sistemit të ujit që është i lidhur me kanalizimet, pikërisht këtë ka qëllim, rritjen e performancës ekonomike. Rritja e arkëtimeve, shëndoshja financiare e gjithë sektorit, në mënyrë që të kemi investime aq të nevojshme duke filluar nga zona që kanë potencial më të madh ekonomik siç janë zonat me përparësi turizmi?.
Pjesë e investimit të qeverisë në zonën turistike të Gjirit të Lalzit është ndërtimi i kolektorit kryesor të ujërave të zeza , Impianti i Trajtimit të Ujërave të Përdorura si dhe ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit.