Efthymiou Efthymious, shtetasi grek i arrestuar për vrasjen e Dëfrim Kasmit mohon të ketë lidhje me atentatin e 29 Janarit në rrugën ?Petro Cani?.
Gjatë dëshmisë në policinë e Tiranës, ish-polici i forcave speciale greke tha se nuk ka lidhje me ngjarjen dhe se njeh vetëm njërin nga të arrestuarit e tjerë.
Madje 41-vjeçari grek u tha hetuesve se kishte ardhur në Shqipëri për turizëm.
Pavarësisht pretendimeve të tij, burime të Prokurorisë thanë se në banesën ku strehohej 41-vjeçari grek dhe pjesëtarët e tjerë të grupit, u gjetën edhe rrobat e përdorura nga ky i fundit në atentatin e 29 Janarit. Edhe këtë të shtunë banesa ku u gjet një arsenal i madh armësh në pronësi të Aurel Hoxhallarit, i dyshuar si organizator i vrasjes së Kasmit, ishte në ruajtje nga policia. Kamerat e sigurisë se saj, pritet të jenë një element i rëndësishëm në zbardhjen e detajeve të reja.
Ish efektiv i forcave speciale të policisë greke, u arrestua një ditë më parë, si i dyshuar për ekzekutimin e Devi Kasmit. Efthimiu dyshohet se është paguar nga Aurel Hoxhallari për të eliminuar Kasmin.
Nuk dihet sa është shuma që 41-vjeçari grek ka marrë për të kryer vrasjen, por gjatë arrestimit atij iu gjet një shumë prej 3 milionë lekësh të vjetra. Ishte Mario Meshini që i dha policisë karakteristikat e një burri të gjatë me mjekër, të cilat përputheshin me profilin e vrasësit.
Akuzat janë mohuar edhe nga të arrestuarit e tjerë, Elton Halipaj, Malvin Dinellari Elton Hoxhallari dhe Mario Meshini të cilët vijojnë të mbahen në ambientet e drejtorisë së Policisë së kryeqytetit. Ata pritet që të dalin të dielën për masë sigurie në Gjykatën e Tiranës.