Kryeprokurorja Arta Marku sërish është sjellë në vëmendje nga opozita jo për procedurën e zgjedhjes së saj por për një marrëveshje me Ministrinë e Brendshme. Deputetët demokratë nëpërmjet një konference për mediat, theksuan se Rama ka vendosur një kryeprokurore private për të mbyllur dosjet hetimore. Këtë akuze e bazuan tek marrëveshja që është nënshkruar mes kryeprokurores Marku dhe ministri Xhafaj.
Për marrëveshjen ka reaguar në emër të LSI nënkryetari Luan Rama. Në një shkrim shpërndarë në rrjetet sociale, Rama shkruan se, ajo marrëveshje është në kundërshtim me Kushtetutën. Ai shton se, hetimet për çështje korrupsioni dhe krimi në bazë të Kushtetutës dhe paketës së ligjeve të reformës në drejtësi është objekt i veprimtarisë së Prokurorisë së Posaçme dhe Njësisë së Posaçme Hetimore, të cilat sipas nenit 148, pika 4 të Kushtetutës janë të pavarur nga Prokurori i Përgjithshëm!