Ministria e Brendshme dhe Prokuroria e Përgjithshme kanë firmosur një marrëveshje bashkëpunimi e cila në fokus do ketë luftën kundër krimit të organizuar. Marrëveshja është firmosur në Prokurorinë e Përgjithshme nga minsitri Fatmir Xhafaj dhe nurmi një i akuzës Arta Marku.
Në fokus të kësaj marrëveshje do jetë lufta kundër lëndëve narkotike, pastrimt të parave, korrupsioni dhe konfiskim i aseteve të krimit të organizuar. Sipas marrëveshjes Prokuroria e Përgjithshme merr përsipër të krijojë seksione të posaçme të përkohshme në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe në Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Fier, Korçë, Gjirokastër dhe Lezhë. Prokurorët që do të caktohen në këto Seksione të Posaçme do të kalojnë paraprakisht një proces verifikimi të pasurisë dhe integritetit. Brenda 5 ditëve do të caktohen prokurorët në këto seksione ku një prej tyre do të jetë drejtuesi.
Në Prokurorinë e Përgjithshme do të caktohet një prokuror/koordinator ndërmjet seksioneve të posaçme dhe Task-Force Speciale Qendrore e cila është në varësi të Ministrisë së Brendshme. Për të shmangur nxjerrjen e sekretit hetimor, shërbimet e policisë gjyqësore do të dërgojnë materialet në seksione në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ministria do të sigurojë mbrojtje dhe siguri fizike për prokurorët dhe familjarët e tyre kur u vihet jeta në rrezik dhe do bashkëpunojë ngushtë me ta me qëllim goditjen e grupeve kriminale.