Me përfundimin e afatit për vetëdisiplinimin e situatës me ujin e pijshëm, Task-Forca e Bashkisë së Tiranës dhe Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë nisi sot në terren aksionin për verifikimin dhe ndërprerjen e të gjitha rasteve të lidhjeve të paligjshme nga bizneset, me synim përmirësimin e situatës së furnizimit me ujë të pijshëm në kryeqytet. Në ditën e parë është arrestuar një biznesmen, ndërsa 4 të tjerë janë shoqëruar. Tetë grupet e Task-Forcës, me ndihmën e Policisë së Shtetit, Policisë Bashkiake dhe stafit teknik të Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës, u përqendruan në zonën e Astirit dhe të Dajtit.
Në zonën e Dajtit, u bënë 15 verifikime të hollësishme në biznese të dyshuara për lidhje të paligjshme, si dhe 10 të tjera në zonën e Astirit. Nga kontrolli rezultuan katër raste të abuzimit me ujin e pijshëm.