Transportonte nxenesit ne gjendje te dehur, arrestohet shoferi

2018-05-11 0

Shoferi i një automjeti në Tiranë që transportonte nxënësit në shkollë është arrestuar në flagrancë nga policia në gjendje të dehur.
Policia thotë se nga kontrollet në zonën e Unazës së Re, rezultoi se shoferi Isuf B. drejtonte autobusin e shkollës pa leje qarkullimi, pa kontrollin teknik të mjetit, pa certifikatë transporti për nxënës, në gjendje të dehur, si dhe debitor, pasi ishte ndëshkuar edhe disa herë të tjera për mospërdorim të rripit të sigurimit.
Testi i alkoolit tregoi se 56-vjeçari Isuf B. ishte i dehur në masën 1.38 mg/l, ndërsa testi i dytë doli në masën 1.47 mg/l. Ai u arrestua nga policia për drejtim të automjetit në gjendje të dehur. Gjithashtu është bllokuar edhe automjeti si dhe është përpiluar masa administrative për shkeljet e gjetura gjatë kontrollit.
Policia Rrugore e Tiranës bën me dije se do të vijojnë kontrollet edhe gjatë ditëve në vijim ndaj automjeteve që transportojnë nxënësit e shkollave.
Policia u bën apel prindërve dhe mësuesve, por edhe vetë nxënësve, që të mos pranojnë të qarkullojnë me automjete që vënë në rrezik sigurinë e jetës së fëmijëve.