Në lagjen Shelg të Cërrikut, ku dikur kanë ekzistuar puset e naftës, pas kanë mbetur objektet e ish-Uzinës, të cilat nuk funksionojnë më, por po shkaktojnë një dëm të pallogaritshëm tek banorët e zonës.
Gjithçka pati kaluar në varësi të AlbPetrol, por lënia pas dore gjatë këtyre viteve ka bërë që i gjithë territori është kthyer në moçal, era e rëndë e naftës së mbetur dimër-verë çliron helme. Edhe pse zona është e rrethuar nga një gardh teli, përsëri fëmijët kanë gjetur shtigje për të luajtur në puset e vjetra, duke rrezikuar rëndë shëndetin e tyre.
Bashkia e Cërrikut i ka dërguar disa herë kërkesë AlbPetrol-it për të mbyllur puset e naftës, por asnjëherë nuk është vepruar në këtë drejtim. I pafalshëm mbetet edhe mosreagimi i shoqatave mjedisore të Elbasanit, të cilat heshtin përballë kësaj masakre mjedisore.