Data e zgjedhjeve në FSHF po afron, ndërkohë që përpos problemeve me shoqatat ?fantazmë?, po zbulohen edhe gjëra të tjera në lidhje me anëtarët që duhet të votojnë më 7 shkurt në Asamble. Interesant është fakti se KS Vlora, KF Pojani, KF Poliçani, Bilisht Sport, KS Fieri, KS Sukthi, edhe pse kanë të drejtë vote, nuk janë në aktivitet, disa prej vitesh të tëra.
Ditë më parë, FSHF, kur doli problemi i Shoqatave Rajonale që janë të paregjistruara si shoqata në gjykatë, u mbrojt me tezën se ata kanë bërë shumë aktivitete. Ndërsa handikapi qëndron në faktin se klubet e sipërpërmendura janë të regjistruar në gjykatë, por nuk janë në aktivitet, nuk garojnë në asnjë kategori (mbetet për t?u parë nëse do të marrin pjesë në Kategorinë e Tretë).
Nga ana tjetër, Shënkolli, Orikumi, Spartaku, Kevitan dhe Klosi janë në aktivitet, por nuk kanë anëtarë votues në Asamble. Në aktivitet janë edhe Partizani B, Tirana B, Kukësi B dhe Vllaznia B, por këta janë ekipe të dyta të skuadrave përkatëse dhe të paktën një përfaqësues i tyre voton.