E ftuar te "5 pyetjet nga Babaramo" kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, u shpreh se protesta e 27 janarit është vetëm maja e ajsbergut. Ajo tha se opozita do organizojë protesta të tjera në muajt në vijim për largimin e kryeministrit Edi Rama.
"Largimi i Edi Ramës është mision kombëtar. Sepse ne çdo ditë e më shumë shohim shqiptarë që po largohen nga Shqipëria. I patë si jetojnë shqiptarët në kampe në Francë, në Gjermani, ata pak të shkolluar po ikin, si mjekët, infermierët. Kemi biznese pafund që po largohen drejt vendeve të rajonit, për shkak të taksave të ulta. Ne si vendi më i varfër kemi taksat më të larta", u shpreh Kryemadhi.
"Ky është vetëm fillimi, vetëm maja e ajsbergut të protestës", tha Kryemadhi duke komentuar protestën e 27 janarit e cila sipas saj është më e madhja e viteve të fundit.