Njëherësh me karrierën si soprano dhe regjisore, muaj më parë, Inva Mula, i caktoi si detyrë vetes, të sjellë për herë të parë në ekranin e televizionit, një spektakël me fëmijë, me aftësi të jashtëzakonshme në të kënduarin, kërcyerin dhe interpretimin në instrument në gjininë e klasikes. Angazhimi i saj për të sjellë ?Prodigies?, në rastin tonë ?Virtuozët? lindi pasi Inva prej kohësh ishte njohur me suksesin e këtij formati televiziv në Francë.
"Një nga anëtarët e jurisë të Prodigies në Francë, një këngëtare e shkëlqyer. Pasi e pashë në televizor e mora në telefon dhe i thashë: Elisabet të uroj, sa bukur keni bërë një gjë të tillë. Kam një mendim ta sjell në Shqipëri. Në atë moment Elisabet më tha: Inva të kam menduar."
Erdhi në Tiranë. Ideja u mirëprit. Me bashkëpunëtorë si dirigjentët Suzana Turku dhe Gerard Akoka, koreografen Blerina Arbana, skenaristin Pandi Laço dhe regjisorin Bledi Laço pas javësh audicione, për edicionin e parë të ?Virtuozët? u përzgjodhën 62 talente. Në çdo provë të tyre deri në 11 Shkurt, dita kur nis konkurrimi në ekranin e Televizionit Klan, Inva është aty.
"Vetëm konkursi krijon një fenomen që as ti vetë nuk e di që e ke. Diku emocioni ul nivelin, por diku emocioni bën një hap të jashtëzakonshëm që nuk mund ta bësh në kushte të tjera".
Shqipëria është vendi i katërt që ky format zhvillohet e që shikueshmëria i kapërceu edhe vetë parashikimet e krijuesve të tij, Endemolit.
"Gjërat komerciale janë si fishekzjarre. Ndoshta kemi nevojë, por nuk kanë vazhdimësi. Ndërsa gjërat që janë vërtetë me këmbë në tokë, jam e bindur se do të kenë një qasje shumë të mirë".
Në fillim nuk e kishte menduar se të qenit edhe prezantuese në spektaklin e ideuar artistikisht nga ajo, do ta vinte në një situatë ku konkurrentët i kanë gjithnjë sytë nga ajo.
"Do jetë një fjalë e mirë konstruktive, për një të ardhme më të mirë."
Si artiste karriere, me shfaqje në teatrot që bëjnë historinë e operas, çdo herë me një publik ndryshe dhe gjithnjë nën lupën e kritikës, për Inva Mulën, ?Virtuozët, nuk është vetëm një konkurs.
"Ne do të kultivojmë një publik..."