Pesë muaj pas konstituimit të qeverisë së re ?Rama 2?, Partia Socialiste ka nisur fushatën për largimin në bllok të drejtorëve të LSI, në të gjitha degët e administratës. Drejtorët e rinj po emërohen me anë të konkurseve, ku asnjë përfaqësues i LSI, deri më sot, nuk ka rezultuar fitues. Pas dorëheqjeve dhe largimeve të drejtorëve në krye të dikastereve më të rëndësishëm në Tiranë, prej disa ditësh përfaqësuesit e LSI po largohen në bllok nga drejtoritë që drejtojnë që pas ndarjes pushtetit pas zgjedhjeve parlamentare të 2013.
Shkarkimet kanë startuar në Rrethin e Matit për të vazhduar në ditët në vijim në të gjitha rrethet e tjera. Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu ka prezantuar nënprefektin e ri të Matit, Vladimir Kurti. Këtë post prej katër vitesh e mbante kryetari i LSI-së për Burrelin, Nderim Palluçi. Drejtori i spitalit ?Xhavit Mara? Dritan Neli, përfaqësues i LSI-së është zëvendësuar pas konkursit të zhvilluar pranë Ministrisë së Shëndetësisë me mjeken Alma Voshi (Frangu).