Kështu pritet të jetë terminali juglindor i autobuzëve në Tiranë. Pamjet në 3D janë publikuar nga Kryeministri Edi Rama në faqen e tij në Facebook, ku thekson se ky projekt do të realizohet brenda vitit 2019.
Terminali, i projektuar në 20 mijë metra katror do të ndërtohet në zonën e Farkës, në afërsi të Unazës së Madhe dhe autostradës Tiranë-Elbasan.
Në të do të stacionohen të gjitha hyrje- daljet e autobusëve ndërurbanë dhe ndërkombetarë që vijnë nga krahu i rrugës së Elbasanit.
Kompleksi i Terminalit do të përbëhet nga ambientet e hapura dhe ndërtesat kryesore e Terminalit, e cila do të jetë 2 kate, ku do të jenë të vendosura hollet, sallat e pritjes se qytetarëve, biletaritë, zyrat për kompanitë e transportit, si dhe bar kafe, e ambiente çlodhëse.
Hapësirat e këmbësorëve dhe dy katet e ndërtesës do të jenë të lidhura me platformat e Terminalit, nëpërmjet shkallëve fikse, atyre lëvizëse dhe ashensorëve. Ndërsa në pjesët e jashtme, do të jenë të përcaktuara vendqëndrimet e autobusëve si pas linjave.