Kerkimet per eshtrat e ushtareve greke

2018-05-10 2

Eshtrat e katër ushtarëve grekë janë gjetur në ditën e dytë të gërmimeve në Dragot, sipas asaj që shkruajnë mediat greke. Ende nuk ka të dhëna se kujt i përkasin, pasi ndryshe nga dita e parë gazetarët janë mbajtur larg procedurave të kërkimeve dhe zhvarrosjes. Pamjet e publikuara në media ditën e parë të gërmimeve për të rënët e luftës italo-greke u bënë shkak për nisjen e një debati.



Disa studiues, historianë dhe arkeologë thonë se aty nuk ka eshtra grekësh, por ushtarësh italianë. Arkeologu Etnor Canaj, që jeton në Itali, duke iu referuar fotos së shkrepur në vendin e zhvarrimeve, thotë se medaljoni që shoqëronte ushtarin i përket në të vërtetë një parashutisti italian të një reparti special i batalionit ?San Marco?.

I pyetur nga Televizioni Klan se ku i bazon dyshimet e tij, ai thotë: "Nëse medaljoni është punuar prej italianëve për ta vendosur si shenjë identifikuese për ushtarin grek, për cilën arsye në pjesët anësore të këtij medaljoni ka shenja të vrimave ku kalonte një zinxhir? Pasi këto vrima janë tregues që medaljoni ka qenë me zinxhir dhe i mbajtur në qafë. Nëse medaljoni do i përkiste një ushtari grek përse duhej të ishte në gjuhën italiane ku tregohen edhe gradat. 2095 është numri i ushtarit, shkronja ?P? është parashutist, një repart special i batalionit të ?San Marco?, ?Cap-Le?-grada "Caporale". Lidhur me të rënët italianë me mbiemrin "GRECO", nëse u referohemi arkivave italiane, mbiemra të tille hasen shpesh tek ushtarë që edhe sot rezultojnë të humbur".
Historiani dhe ish-drejtori i arkivave në Ministrinë e Brendshme, Kastriot Dervishi, publikon një dokument në rrjetet sociale sipas të cilit nga gërmimet e tre dekadave më parë nuk doli asnjë eshtër.

"U kryen në Dragot të Tepelenës gërmime për zhvarrimin e ushtarëve grekë të vrarë gjatë Luftës Italo-Greke të viteve 1940-1941, në pjesën e territorit shqiptar. Për të vënë në dukje se ky nuk ishte gërmimi i parë, por i dyti, po rikujtoj procesin e parë, referuar nga procesverbali i 33 vjetëve më parë. Sipas këtij dokumentacioni, më 5-14 shtator 1985 u hapën 674 varre si dhe 220 gropa, në të cilat nuk u gjetën eshtra".

Greqia pretendon se në këtë zonë gjenden eshtrat e mbi 6 mijë ushtarëve të saj që ranë gjateëkonfliktit me Italinë, në Luftën e Dytë Botërore. Gërmimet nisën në bazë të marrëveshjes së arritur mes dy ministrave të Jashtëm, në Kretë të Greqisë.