Shqipëria është pozicionuar krah SHBA-së dhe BE-së, sa i takon nismës së një grupi deputetësh të Kosovës, për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. I ftuar te "5 pyetjet nga Babaramo", Rama tha se kjo është një lëvizje e cila ka krijuar konfuzion edhe te partnerët ndërkombëtarë, por mbetet për t'u provuar nëse është e orkestruar
Kreu i qeverisë shqiptare saktësoi se për një vendimmarrje kaq të rëndësishme, duhet të pyeten SHBA dhe BE, ata që kontribuan për pavarësinë e shtetit të Kosovës.
Z.Rama, si e komentoni lëvizjen për shfuqizimin e Gjykatës Speciale?
Së pari, mbetet për t'u provuar që kjo është një lëvizje e orkestruar. Së dyti, mendoj që është zhvilluar në një terren paqartësie që ka krijuar konfuzion edhe te parnterët. Së treti, kam bindjen se duhet shpjeguar gjithçka me kujdes dhe me durim dhe patjetër që në fund të ditës, Kosova është nëna e të gjithë atyre që janë lindur aty, por është foshnja që lindi si shtet sovran e të gjithë atyre që janë kundër zhbërjes së këtij legjislacioni. Është se unë e shoh të domosdoshme që kur ka çfarë do qoftë një nismë, qasje të caktuar lidhur me çështje të kësaj rëndësie, duhet të merren në konsideratë qëndrimet e artye që e lindën këtë foshnje të lirisë dhe pavarësisë së asaj pjese të trojeve shqiptare.