Bushati-Kotzias, mbyllet dita e pare e bisedimeve

2018-05-10 0

Pas takimit të Nëntorit në Kretë, 2 ministrat e Jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë janë ulur sërish të negociojnë për çështjet e mbetura ende të pazgjidhura mes dy vendeve, kësaj here në qytetin e Korçës.

Për 3 ditë me të njëjtin format si ai i Kretës, larg syrit të medias dhe pa dhënë asnjë detaj për gazetarët, të dy palët që do të drejtohen nga ministri Ditmir Bushati dhe ai grek Niko Kotzias do të diskutojnë në një hotel të qytetit  juglindor, ku masat e sigurisë të marra nga policia e qytetit janë shumë të larta.


Çështjet që vazhdojnë të diskutohen dhe që ende nuk kanë gjetur një zgjidhje të pranueshme nga të dy shtetet janë disa por me më shumë rëndësi duket të jenë caktimi i kufirit detar mes dy vendeve, ligji i luftës që është ende në fuqi në Greqi, varrezat greke dhe problemet kufitare me emigrantët.

Negociatat mes dy delegacioneve në përbërjen e të cilave ka dhe ekspertë që do të diskutojnë mbi detajet teknike të çështjeve që kërkojnë zgjidhje, do të vijojnë dhe të shtunën dhe paraditen e së dielës, ndërsa ende nuk dihet nëse në mbyllje të tyre do të ketë ndonjë qëndrim apo deklaratë zyrtare mbi çka është dakortësuar.