Rregullat për arrestimin e deputetëve, Report Tv disponon propozimin e PS dërguar Kuvendit

2018-05-10 0

Pas debatit për rastin ?Tahiri?, Partia Socialiste kërkon që të qartësojë rregullat, kushtet dhe procedurat për arrestimin e deputetëve, duke vënë si kusht paraqitjen e provave bindëse nga ana e prokurorisë. Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka depozituar një projektvendim në Kuvend, për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin e deputetëve apo ministrave, me kërkesë të Prokurorisë.

Sipas propozimit, deputeti apo ministri nuk mund të arrestohet më në bazë indicesh apo dyshimesh të arsyeshme, por organi i akuzës duhet të paraqesë prova bindëse, në të kundërtën kërkesa për arrestim rrëzohet. Kërkesa për ndryshimin e rregullave vjen pas polemikave për rastin e Saimir Tahirit, por edhe pak para ngritjes së organeve të reja anti-korrupsion, konkretisht të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatave Speciale, ku së bashku përbëjnë atë që quhet SPAK.