Komisioni i Ligjeve i ka hapur rrugë ngritjes së një prej institucioneve më të rëndësishme të reformës në drejtësi, Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ndonëse demokratët abstenuan në votim miratimin e rregullores për nënkomisionin Ad Hoc prej pesë anëtarësh që do bëjë vlerësimin e kandidatëve nga radhët e juristëve jo gjyqtarë, palët tashmë kanë depozituar në kuvend edhe emrat e deputetëve që do marrin pjesë në të.
Mazhoranca do të përfaqësohet nga socialistët Ulsi Manja, Klotilda Bushka dhe Bledi Çuçi, kurse opozita nga demokrati Oerd Bylykbashi dhe Nasip Naço i LSI-së. Nënkomisioni që pritet të ngrihet të enjten do të vlerësojë kandidatët që kanë përmbushur kriteret ligjore sipas raportit të hartuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, mes të cilëve edhe propozimet e sjella nga shoqëria civile, ku sipas Gjonçajt, janë marrë në konsideratë rekomandimet e ONM-së.
Genc Gjonçaj: "Raporti i shoqërisë civile nuk përjashton kandidaturat e ONM. Përzgjedhja e emrit është në tagrin e nënkomisionit dhe votimit në seancë".
Për demokratët procedura e ndjekur nga kuvendi është antikushtetuese, bie ndesh me rekomandimet e Komisionit të Venecias, si dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e disa neneve në ligjin për ?Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë.?
Oerd Bylykbashi: "Rikthyet filtrat antikushtetues. Procesi eshte i korruptuar politikisht. Qëllimi është të kapet KLP për të përcaktuar kush janë kandidatët. KLP juaj do zgjedhë SPAK-un që dë dënojë Tahirin etj. Ju keni frikë se ju kapen ministrat apo njerëz që mbajnë kriminelët".
Në filtrin e nënkomisionit Ad Hoc do të kalojnë 15 kandidatët që përmbushin kriteret ligjore, 7 nga shkolla e avokatisë, 5 nga trupa e pedagogëve dhe 3 nga shoqëria civile. Lista e kandidatëve më pas brenda 10 ditëve i dërgohet kuvendit që e miraton me 2/3 e votave.