TIRANE-REPORT TV ka siguruar videon e momentit të grabitjes së bankës së nivelit të dytë brenda ambienteve të Hipotekës në Tiranë mesditën e djeshme në orën 14:00 në vetëm pak sekonda. Autori i ngjarjes, një i ri rreth moshës 25-vjeç ka përdorur një kapele në kokë ndërsa në brez ka pasur armën e zjarrit tip pistoletë.
Në momentin kur ka hyrë në ambientet e Hipotekës, fillimisht ka neutralizuar rojen e institucionit, ndërsa më pas i është drejtuar sportelit të bankës private ku u ka drejtuar armën arkëtareve. Punonjësja e bankës, në kushte terrori, pasi është kanosur nga autori i cili i ka thënë "më jep lekët ose të vras" dhe në një moment me qytën e armës ka qëlluar xhamin e bankës i cili ka pësuar plasaritje, ka hapur kasafortën dhe kanë nxjerrë prej aty rreth 300 mijë lekë të reja duke ia dhënë autorit.
Fillimisht qytetarët që ndodheshin në bankë nuk e kanë kuptuar se cfarë po ndodhte, ndërsa më pas janë larguar me shpejtësi. Pas marrjes së parave, grabitësi me qesen në dorë, është larguar përmes një blloku pallatesh ku edhe është fiksuar nga disa kamera sigurie.Përpos videos brenda ambienteve, REPORT TV siguroi edhe pamjet e momentit kur autori u largua nga ambientet e Hipotekës. Në lagjen "Don Bosko", grabitësi është ndeshur me një punonjës policie të cilit i ka drejtuar pistoletën dhe i ka kërkuar të mos e ndjekë pasi përndryshe do ta qëllonte.